Ballina Aktualitet

Hapja e negociatave, Vasak: Franca do të qëndrojë pranë Shqipërisë

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ – “Franca do të qëndrojë pranë Shqipërisë, aleatit të saj në Aleancën Atlantike, pavarësisht nga vendimi që do të merret nga Këshilli në tetor, unanimisht, për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Kështu deklaroi ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak në pritjen e organizuar me rastin e 14 Korrikut në Pallatin e Brigadave.

Vasak  tha se “sondazhet e pasqyrojnë fare qartë: besimi në të ardhmen e vendit, kur të vijë koha, në gjirin e Bashkimit Evropian është i ngulitur thellë tek çdo shqiptar. Ismail Kadare, me talentin e tij të jashtëzakonshëm, e thekson gjithmonë këtë aset”.

“Të ndërtosh një shtet ligjor të denjë për këtë emër, në çdo aspekt, pa pandëshkueshmëri, as vetëkënaqësi, është një gjë për të cilën shqiptarët janë dhe duhet të vazhdojë të jenë të një mendjeje. Por, a nuk po zbehet besimi tek institucionet? Ka shumë pyetje për popullatën në tërësi, përtej klasës politike. Diplomatët janë këtu për të kuptuar, mbështetur dhe shoqëruar, por në asnjë rast për të gjykuar ose zëvendësuar autoritetet kompetente. Kjo gjë duhej thënë”, u shpreh ajo.

“Këtë vit ne përkujtuam 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, e cila për fat të keq vazhdoi edhe më tej në këtë rajon pas 11 nëntorit të vitit 1918. Falë rrjetit tonë të gjerë të aleancave franceze, të përfaqësuara kaq mirë sonte, në Tiranë, Korçë, Elbasan, Shkodër dhe Durrës, ne do të shfaqim kudo në Shqipëri ekspozitën “Në Lindje, lufta pafund”. Në nëntor, do të zhvillohet në Paris edicioni i dytë i “Forumit të Paqes”. E përmenda Korçën sepse do të kthehemi së shpejti për festivalin tuaj, MIK, e dashur Inva, si dhe çeljen e ekspozitës fotografike të Roland Tashos kushtuar Notre-Dame de Paris. Çfarë solidariteti i jashtëzakonshëm në Shqipëri, nga të gjitha besimet, gjatë zjarrit të tmerrshëm që shkatërroi katedralen!”, theksoi Vasak.

“Të jeni të sigurt, Franca do të qëndrojë pranë Shqipërisë, aleatit të saj në Aleancën Atlantike, pavarësisht nga vendimi që do të merret nga Këshilli në tetor, unanimisht, për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës, Z. Macron, paraqiti në prill në Berlin, në samitin e organizuar me kancelaren Merkel, “Strategjinë e Francës për Ballkanin Perëndimor”. Franca nuk është larguar kurrë nga rajoni, por ajo po e forcon praninë e saj në disa fusha. Kjo është arsyeja pse është i rëndësishëm fillimi i aktiviteteve të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) mbi bazën e një marrëveshjeje, e cila, të shpresojmë, do të nënshkruhet në shtator dhe do të mund të hyjë në fuqi sa më shpejt. Bëhet fjalë të punojmë në disa fusha, si barazia gjinore, planifikimi urban ose lufta kundër ndryshimeve klimatike, së bashku me partnerët tanë shqiptarë, si për shembull komunat, Tirana, Durrësi etj. dhe me donatorë ndërkombëtarë, dypalësh dhe shumëpalësh”, u shpreh ambasadorja franceze.

“Duke ju falënderuar për praninë tuaj të ngrohtë, me një përshëndetje të veçantë për donatorët tanë bujarë, dëshiroj që në emër të të gjithë t’i uroj me gjithë zemër këtij vendi të bukur dhe popullit të tij përparimin që meritojnë në kontinentin tonë. Pak javë më parë, një nga katër misionet arkeologjike franko-shqiptare zbuloi në Durrës, gjatë pranisë sonë të rastësishme aty, një statujë të jashtëzakonshme mermeri. Uroj që nga thellësia e së shkuarës, ky fëmijë i vogël i shekullit të parë ose të dytë pas Krishtit të mishërojë të ardhmen”, përfundoi fjalën e saj ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKQZ rrëzon kërkesën e Bindjes Demokratike për hapjen e kutive në Tiranë dhe Shkodër
Artikulli tjetërNë shtator nis faza e dytë e vazhdimit të Lungomares në Vlorë