TEHERAN, 13 qershor /ATSH-DPA/- Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei, përjashtoi të gjitha negociatat e ardhshme me SHBA-të gjatë një takimi me kryeministrin japonez, Shinzo Abe.
“Irani nuk i beson SHBA. Ne tashmë kemi pasur përvojë të hidhur me amerikanët për marrëveshjen bërthamore dhe nuk duam ta përsërisim këtë përvojë”, theksoi Khamenei.
SHBA u tërhoqën njëanshmërisht vitin e kaluar nga marrëveshja bërthamore mes fuqive të mëdha dhe Iranit.
Vendimi i Uashingtonit për të filluar zbatimin e sanksioneve bankare dhe të naftës ka paralizuar ekonominë iraniane dhe ka ushtruar presion edhe mbi nënshkruesit europianë të marrëveshjes.
Abe ofroi të shërbejë si ndërmjetës, pasi Japonia ka marrëdhënie miqësore me Iranin.
Khamenei vlerësoi përpjekjet e Japonisë, por shtoi se “unë nuk besoj se presidenti i SHBA, Donald Trump është i denjë për të dërguar një mesazh ose një përgjigje”.
Lideri suprem shtoi se mosbesimi i tij qëndron në qëllimin e Trump për të detyruar ndryshimin e regjimit në Iran, i cili sipas Khamenei nuk do të funksionojë./ /os/ a.jor.






















