TIRANË, 9 qershor/ATSH/- Policia e Tiranës dhe Vlorën kanë zhvilluar dy operacione antidrogë, duke ndaluar disa shtetas të cilët dyshohet se trafikonin lëndë narkotike kanabis sativa.
“Në vijim të kontrollit të territorit për goditjen e rasteve të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bazuar edhe në informacione konfidenciale, Seksioni i Narkotikëve ka organizuar punën pas dyshimit për lëndë narkotike në një banesë në fshatin Drithas të Vlorës. Pas kontrollit të ushtruar në këtë banesë, policia ka konstatuar një sasi me lëndë narkotike prej 12 kilogramë e dyshuar e llojit Kanabis Sativa. Menjëherë, policia ka vënë para përgjegjësisë penale duke arrestuar në flagrancë pronarin e banesës, 57-vjeçarin A. M. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, njofton Policia e Vlorës.
Më herët në Tiranë u ndaluan dy shtetas, në kuadër të operacionit “Propocione”

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në vijim të punës për parandalimin e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, kanë zhvilluar dhe finalizuar një tjetër operacion të koduar “Propocione”, ku nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Policisë të Komisariatit nr 3, kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve: S. K., 34 vjeç banues në Tiranë I. K., 24 vjeçe, banuese në Tiranë”, bën me dije policia.
“Si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasi P. Z., 23 vjeç lindur dhe banues në Itali dhe shtetasi L. Z., 27 vjeç banues në Tiranë. Në rrugën “Muhamet Gjollesha”, gjatë kontrollit të ushtruar shtetasve S.K dhe I.K, policia ju gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 974 gramë lëndë narkotike e llojit Kanabis Sativa, ndërsa shtetasit P.Z dhe L.Z, kanë ndihmuar shtetasit e arrestuar për shpërndarjen e lëndës narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, përfundon njoftimi i Policisë së Tiranës























