Ballina Aktualitet

FOTO/ Nderohet në Letoni nëntetarja Zarife Hasanaj

TIRANË, 7 maj/ATSH-Arbi Fortuzi/ – Nëntetare Zarife Hasanaj, e cila humbi jetën në krye të detyrës, të hënën, gjatë një operacioni të NATO-s në Letoni, është nderuar sot nga kolegët e saj.

Ceremonia është zhvilluar në Camp Adazi në Letoni, aty ku kryente misionin dhe kontingjenti shqiptar i Forcave të Armatosura. Në ceremoni mori pjesë gjithë kontingjenti shqiptar në grupbatalionin e NATO-s në Letoni dhe përfaqësuesi ushtarak shqiptar në NATO.

Në Letoni, duke nisur nga qershori i viti 2017, Forcat e Armatosura Shqiptare janë angazhuar me një togë EOD, (Explosive Ordance Disposal) si pjesë e grupbatalionit kanadez të Prezencës së Përparuar të Përforcuar të NATO (eFP, enhanced Forward Presence).

Kontingjentet shqiptare në këtë grupbatalion përbëhen nga 18-23 ushtarakë, të cilët ndërrohen çdo 6 muaj. Që prej qershorit të vitit 2017, në grupbatalionin e NATO-s në Letoni, kanë shërbyer 4 kontigjente shqiptarë, ndërkohë që kontigjenti aktual është nisur në dhjetor të vitit 2018 për të shërbyer për rreth 6 muaj.

Mëngjesin e së hënës, një grup i kontingjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Nga ky shpërthim është plagosur dhe më pas ka humbur jetën nëntetare Zarife Muharrem Hasanaj, teksa mbetën të plagosur komandanti i kontigjentit, major Klodian Nikolla Tanushi dhe rreshter Julian Xhevat Kapaj.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjirokastër – Roli i infermierit, kyç në shërbimin publik
Artikulli tjetërMinistri austriak: Reforma në Drejtësi, e pakthyeshme