Ballina Aktualitet

Ministri austriak: Reforma në Drejtësi, e pakthyeshme

TIRANË, 7 maj /ATSH/ – “Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme dhe do të vazhdojë, pavarësisht pengesave që ka ndeshur”, deklaroi sot ministri i Drejtësisë së Austrisë, Josef Moser.

Ai priti në një takim Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, të cilin e falenderoi për mbështetjen institucionale dhe personale të Reformës në Drejtësi dhe e vlerësoi këtë reformë si shumë të suksesshme.

Moser gjithashtu nënvizoi se, “Austria do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë për hapjen e negociatave sa më shpejt dhe kryerjen e reformave integruese”.

Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit, Ruçi nënvizoi se Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera në adresimin e pesë prioriteteve kyçe e përcaktuese, veçanërisht në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ruçi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e reformës së sistemit të drejtësisë dhe Vetingut, nën mbikëqyrjen e një misioni ndërkombëtar monitorimi, ku Austria ka luajtur një rol drejtues.

“Miratimi i ligjeve të Reformës në Drejtësi është drejt përfundimit dhe kjo do të përshpejtojë ecurinë e reformës. Procesi i ngritjes së institucioneve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë po ecën me hapa të sigurtë, dhe shumë shpejt Shqipëria do të ketë një sistem drejtësie të rindërtuar, të pastruar, funksional dhe që bën me të vërtetë drejtësi. Procesi i Vetingut po ecën dhe fakti që rreth gjysma e subjekteve të rivlerësuara kanë dalë nga sistemi, tregon nevojën dhe domosdoshmërinë e reformës”, theksoi Ruçi.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Nderohet në Letoni nëntetarja Zarife Hasanaj
Artikulli tjetërMeta: Korpusi Amerikan i Paqes, kontribut të vyer në Shqipëri