Ballina Aktualitet

Basha në Milot: Në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën

TIRANË, 25 prill/ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha drejtoi protestën e zhvilluar në Milot, ku u bllokua qarkullimi në rrethrrotullimin e Milotit, prej nga deklaroi se nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën në 30 qershor.

Sipas Bashës, heqja dorë nga mandatet e deputetit u bë për të qëndruar krah shqiptarëve.

“Ne morëm vendimin për të zhveshur opozitën nga çdo imunitet dhe privilegj për të hequr fasadën e parlamentit kriminal dhe për të qëndruar siç po qëndrojmë, krah për krah me shqiptarët. Më 30 qershor nuk ka për të pasur zgjedhje në Shqipëri. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Opozita as nuk klonohet, as shpiket dhe as nuk krijohet, siç krijohen shërbëtorët dhe mercenarët e Ramës, ka vetëm një opozitë, ajo jemi ne. Jemi të vendosur që të mos lejojmë më kurrë krimin elektoral që është nëna e krimeve ekonomike, është nëna e papunësisë që ka krijuar grabitja dhe vjedhja. Do të ketë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, ne nuk do të lejojmë krimin elektoral dhe zgjedhje false në Shqipëri. Në asnjë qendër votimi nuk do të lejohet krimi elektoral. Asnjë hap pas nuk do të ketë, asnjë kompromis me të keqen nuk do të ketë, largimi i Ramës është sot emergjencë kombëtare”, – theksoi Basha.

Basha theksoi gjithashtu se “pa votë të lirë, nuk ka demokraci, dhe se pa zgjedhje të lira, nuk do të ketë hapje të dyerve të Europës për Shqipërinë”.

“Themeli i kësaj të keqeje është rënia e demokracisë, rënia e votës së lirë. Pa votë të lirë nuk ka demokraci, nuk ka zgjedhje të lira, pa zgjedhje të lira qeveria nuk i jep llogari popullit, por kriminelëve dhe hajdutëve. Kjo është esenca e betejës tonë. Pa zgjedhje të lira nuk do të hapen dyert e Europës, dhe e keqja do të vazhdojë të sundojë dhe dhunojë shqiptarët. Ne jemi të vendosur se kështu nuk mund të vazhdohet më, e kështu nuk do të vazhdohet më. PD dhe opozita e bashkuar është sot koalicioni më i madh politik, moral dhe numerik, është mazhoranca e re e shqiptarëve që e duan Shqipërinë si gjithë Europa. Për ta çliruar Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni së pari duhet të çlirojmë zgjedhjet. Zgjedhje farsë, të diktuara nga krimi na kanë sjell deri këtu”, – u shpreh ai.

Protestues të opozitës bllokuan ditën e sotme 5 akset kryesore të vendit.

/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProtestuesit i vënë zjarrin kantierit të ndërtimit tek ish-Shqiponja
Artikulli tjetërBE – Një film për të bindur të rinjtë që të votojnë për Europën