Ballina Ekonomi

Marrëveshja CEFTA, potenciale për lehtësimin e tregtisë

TIRANË, 21 mars/ATSH/ “Qeveria mbetet e angazhuar për krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për biznesin”, deklaroi sot ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të lehtësimit të tregtisë.

Në takim u diskutua mbi potencialet e lehtësimit të tregtisë për operatorët në vend, ndërkohë që prej janarit Ministria e Financave dhe Ekonomisë drejton Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë në Europën Qendrore (CEFTA).

Denaj ftoi aktorët pjesëmarrës në këtë komitet për sugjerime mbi zbatimin e suksesshëm të protokolleve të kësaj marrëveshjeje në kuadër të lehtësimit të tregtisë, si edhe mbi hapat e mëtejshëm në kuadër të realizimit të Programit të Operatorëve Ekonomikë, si një nga prioritetet e vitit 2019.

Denaj vuri theksin te përfitimet që bizneset kanë nga programi i Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar dhe mundësitë që krijohen për aksesin e mëtejshëm të tregjeve rajonale dhe europiane për këto sipërmarrje.

Ajo shprehu angazhimin e Qeverisë për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për biznesin, veçanërisht për SME-të, për të lehtësuar procesin e njohjes e këtij statusi edhe në vendet CEFTA si fazë paraprake për njohjen e përbashkët me vendet e BE-së.

“Është një program i menduar, mbi të gjitha për biznesin! Për vetë statusin që marrin, operatorët kanë një trajtim më të favorshëm për vlerësimin dhe kontrollin e riskut; më pak kontrolle fizike dhe dokumentare; njoftim paraprak në rast kontrolli fizik; trajtim prioritar për kontroll, lehtësi në zgjedhjen e vendit të kontrollit; avantazhe logjistike, mundësi të planifikimit të transportit duke minimizuar vonesat dhe reduktuar kostot e më gjerë”, sqaroi Denaj.

Më tej, Ministrja ftoi të gjitha palët në Komitet për një përfshirje më të gjerë dhe një nivel më të lartë bashkëpunimi, në këtë platformë të përbashkët për politikat e zhvillimit të tregtisë.

Instituti i Politikave Publike dhe Private, me mbështetjen e GIZ, prezantoi studimin mbi përfitimet që ka sipërmarrja që merr statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar. /m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak2 kandidatë të tjerë të opozitës pranojnë mandatet
Artikulli tjetërFOTO/ Prezantohet uniforma e re e Kombëtares