TIRANË, 22 prill/ATSH/- Aksioni “Të pastrojmë tokën që duam”, i organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka përfshirë mbarë vendin, duke u përqendruar kryesisht në zonat bregdetare dhe shtretërit e lumenjve, si dhe në zona ku janë depozituar ndër vite mbetjet urbane.
Edhe qarku i Shkodrës është përfshirë në këtë aksion dhe gjatë gjithë javës, që prej fillimit të tij, në bashkitë e këtij qarku në Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Fushë Arrëz dhe Pukë, është punuar me intensitet të lartë.
Prefekti i Shkodrës, Çesk Millja tha sot në një prononcim për ATSH-në se “Në bashkitë e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe në Vaun e Dejës kemi punuar për heqjen e mbeturinave për një mjedis sa më të pastër. Pjesëmarrja ka qenë masive ku kanë marrë pjesë e njësitë administrative, shkollat e mesme dhe ato 9 vjeçare”.
“Kryesisht jemi përqendruar buzë liqenit, lumit të Kirit, Urës së Mesit dhe kemi qenë në dy njësi administrative në atë të Hajmelit ku është përuruar një pjesë e bukur e qendrës së saj, bashkë me godinën e njësisë administrative, si dhe u bë prezantimi i një parku të vogël dhe të këndshëm që i përket pjesës së Bogës”, theksoi Millja.
“Po ashtu aksioni ka vijuar edhe në Fushë Arrëz dhe Pukë”, shtoi ai.
Prefekti Millja tha se ne do të vijojmë me sensibilizimin e qytetarëve për të mbajtur pastër ambientin ku jetojmë.
Qarku i Shkodrës është një ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri. Ai shtrihet nga Alpet e Veriut tek ultësira bregdetare. Rajoni i Shkodrës është i njohur për burime të pasura ujore, ku ndodhen lumenjtë Drini, Buna, Shala, Kiri, Ceni, përrenj dhe burimet ujore. Në perëndim të qytetit ndodhet liqeni i Shkodrës, liqeni më i madh në Ballkan. /k.s/























