TIRANË, 14 shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ – Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të depozitojë në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Edi Palokës si nënkryetar i Kuvendit.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot pas seancës plenare se, “PS nuk mund të tolerojë më që në pozicionin e nënkryetarit të Kuvendit, në pozicionin që i takon opozitës, të jetë Edi Paloka dhe në seancën e ardhshme do të depozitojmë kërkesën për shkarkimin e Palokës si nënkryetar i Kuvendit”.
Balla uroi popullin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, por nga ana tjetër theksoi se, “në këtë ditë të votimit të marrëveshjes për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancën e Atlantikut të Veriu, në prezencën e një miku të vyer, jo vetëm së është Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, por edhe sepse Talat Xhaferi është një personalitet i rëndësishëm i shqiptarisë, PD kreu këtë akt të turpshëm”.
Duke komentuar deklaratat e ish-kryeministrit Berisha, Balla tha: “Sali Berisha ia ka marrë dorën që çadrën ta bëjë pistoletë apo shiringën, stilograf, por në këtë rast i takon Gardës së Republikës të bëjë vlerësimet e veta, hetimet e veta, për turpin që kreu nënkryetari i Kuvendit”.
Balla nuk ka dashur të komentojë protestën e opozitës, por ka theksuar se, “opozita jonë është vaj me det, por nuk i takonte Shqipërisë dhe shqiptarëve edhe ky turp që i shkaktuan imazhit të Shqipërisë, po të kemi parasysh rolin shumë të rëndësishëm që ka Shqipëria në rajon dhe marrëdhënien shumë të veçantë që kemi me Maqedoninë e Veriut”. /j.p/























