Ballina Aktualitet

Mogherini takon opozitën

Mogherini takon opozitën

Mogherini takon opozitënhttps://ata.gov.al/2018/04/18/mogherini-takon-opoziten/ Gjatë vizitës në Tiranë, Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian u takua me kryetarin e PD, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 18.04.2018

 

TIRANË, 18 prill/ATSH/ – Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian (BE), Federica Mogherini, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të opozitës, ndërsa me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, i sapo kthyer nga Gjermania.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi e konsideroi rekomandimin për çeljen e negociatave me BE-në si një dritë jeshile që i jepet jo vetëm Shqipërisë, por në radhë të parë edhe klasës politike për të reflektuar.

Në një prononcim për mediat pas takimit të opozitës me Shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian (BE), Federica Mogherini, Kryemadhi theksoi se “sot shqiptarët kanë më shumë besim për ta parë BE sa më pranë”.

“Mogherini falënderoi opozitën shqiptare si bashkëkontribuese dhe bashkëvepruese në të gjithë këtë proces, ku meritat janë qoftë të maxhorancës apo akoma më shumë të opozitës, e cila bën kalime mbi veten e saj për ti dhënë një mundësi shumë të madhe Shqipërisë e shqiptarëve”, tha Kryemadhi.

“Është një rrugë e vështirë deri në qershor, ku opozita është e hapur dhe ka qenë gjithmonë prezente në punën dhe në iniciativën e saj për hapjen e negociatave të menjëhershme me Shqipërinë”, tha Kryemadhi.

Sigurisht, vijoi ajo, është e vështirë sepse vetë situata që po kalon BE-ja është akoma dhe më skeptike, por ajo që është më e rëndësishme janë detyrat që i janë lënë qeverisë shqiptare për të realizuar si luftën kundër drogës dhe korrupsionit, dhe të gjitha problemet e tjera të paraqitura nga Komisioni Europian në raportin e tij.

Kryetarja e LSI-së, u shpreh se “se i kërkuam Mogherinit ndërhyrjen e saj në mënyrë njerëzore pranë Ramës për lirimin e 11 kuksianëve që mbahen në mënyrë të padrejtë nga Policia Shqiptare dhe nga gjykata”.

Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, u shpreh se “falënderuam Mogherinin qoftë për mbështetjen personale dhe të Komisionit Europian për ti dhënë rekomandimin e hapjes së negociatave me Shqipërinë, si dhe uruam që deri në qershor kur të merret vendimi për hapjen e negociatave qëndrimi i disa vendeve që kanë qenë skeptikë për arsye të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri të ndryshojë”.

“Për ne si opozitë hapja e negociatave është jo vetëm një prioritet për shqiptarët, sepse realizon një dëshirë të tyre për të ecur drejt BE-së. Por e shohim edhe si një mënyrë që BE-ja të rrisë monitorimin ndaj politikës dhe qeverisë shqiptare”, theksoi Paloka.

Detyra e qeverisë, tha Paloka, është të bindë qeveritë skeptike dhe kjo bëhet vetëm me punë jo duke sulmuar opozitën dhe marrë merita që nuk i takojnë.

Edhe deputeti i PD, Tritan Shehu shprehu besimin që në qershor Këshilli të vendosë pozitivisht sepse negociatat duhen në zhvillimin dhe integrimin e  Shqipërisë. Jemi të gatshëm të bëjmë çfarë është e mundur për të bindur edhe më skeptikët për domosdoshmërinë e hapjes së negociatave për Shqipërinë”

/k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Bashkia e Tiranës bashkëfinancuese për tarracat e gjelbëruara
Artikulli tjetërKosova e gatshme për nismat rajonale në fushën e dixhitalizimit