Ballina Lajme nga Vendi

FOTO/ Bashkia e Tiranës bashkëfinancuese për tarracat e gjelbëruara

TIRANË, 18 prill/ATSH/- Projekti i tarracave të gjelbra në kryeqytet do të shtrihet në ndërtesat publike dhe private, ku Bashkia e Tiranës do të jetë bashkëfinancuese.

Pas projektit të parë të realizuar në tarracën e Bashkisë së Tiranës, kryeqytetit i është shtuar një tjetër tarracë e gjelbër, ajo e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo ide do të zbatohet edhe në godina të tjera në kryeqytet.

“Shumë prej ndërtesave publike në Tiranë si ministritë, institucione varësie apo drejtori, mund të kenë një mikro-hapësirë, një lulishte në nivelin vertikal. Sot të gjithë po flasim për pyje orbitale dhe pyje vertikale, pra si mund të ndërtojmë një oaz gjelbërimi në tarracën e secilës prej ndërtesave publike”, tha Veliaj.

Për realizimin e këtij projekti që fut edhe një kulturë të re në mënyrën e projektimit të ndërtesave, Bashkia e Tiranës po shqyrton disa propozime. Sakaq, ai u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që në bashkëpunim me administratorët e zgjedhur, të aplikojnë për projekte të tilla, të cilat jo vetëm do të përmirësojnë anën estetike të godinave, por njëkohësisht do të përmirësojnë eficencën e energjisë dhe cilësinë e ajrit.

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Andrea Maliqari, vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe kompanitë private që u bënë pjesë e kësaj nisme dhe shprehu bindjen se ky është vetëm fillimi.

Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Florian Nepravishta, u shpreh se projekti i realizuar në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës do të jetë një nga udhërrëfyesit në të ardhmen edhe për projektimin e godinave të banimit. Për rikualifikimin e tarracës së gjelbër tek Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës dhanë një kontribut të rëndësishëm edhe GEF/UNDP, Eurocol, Ekolëvizja dhe Universiteti Politeknik i Tiranës. /z.tosku /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPastrimi i kanaleve vaditëse, Bashkia Gjirokastër në mbështetje të fermerëve
Artikulli tjetërMogherini takon opozitën