ATHINË, 17 prill /ATSH-AFP/ – Greqia gjendet në fazën e fundit për të dalë nga mbikëqyrja e kreditorëve të saj në gusht, fundi i parashikuar i planit të tretë ndihmës për vendin, deklaroi sot kryeministri grek, Aleksis Cipras.
Në prill 2010, nga ky ishull i vogël në juglindje të Egjeut, paraardhësi i tij, Jorgos Papandreu shpalli pamundësinë e vendit të tij për të paguar dhe marrjen e huave nga Eurozona dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Në atë kohë bëhej fjalë për të evituar një mospagesë, në mes të krizës europiane dhe rënies së monedhës unike.
“Pas tetë vitesh, ne po lëmë pas një periudhë me ashpërsi agresive, që pati një kosto ekonomike dhe sociale të konsiderueshme dhe jemi në rrugën e fundit për të dalë nga mikëqyrja dhe programet, të diktuar nga kreditorët”, njoftoi Aleksis Cipras.
Që prej vitit 2010, Greqia përfitoi nga tre hua ndërkombëtare prej më shumë se 300 miliardë eurosh si dhe një ristrukturim të konsiderueshëm të borxhit të saj, të shoqëruara me masa shtrënguese strikte që sollën një recesion të pazakontë dhe rritjen e papunësisë, që vazhdon të mbetet më i larti në zonën euro (21%)./ /G.S/ a.jor.























