TIRANË, 11 janar/ATSH/ “Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, deklaroi sot Presidenti Ilir Meta, në vijim të debatit për mosdekretimin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.
Sipas Presidentit, “interesi kombëtar dhe Shqipëria janë të parat”.
Meta shprehet se “nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë”.
I menjëhershëm ishte reagimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili shprehet se “Presidenti nuk di si të dalë nga gropa që i hapi vetes”.
“Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktorresha e Shkencave passwordin e faqes zyrtare ose pastaj është në atë fazën kur i bën thirrje popullit për të marrë armët, ngaqë s’di si të dalë nga gropa që i hap vetes! I çova provat e mëkatit ndaj Gentit dhe vuan tani”, u shpreh Rama. /a.g/























