Ballina Aktualitet

Studentët rinisin protestën para Kryeministrisë

TIRANË, 7 janar/ATSH/ – Një grup studentësh kanë rinisur protestën e tyre pas ndërprerjes prej afro dhjetë ditësh me rastin e festave të fundvitit.

Prej orës 08:30 ata kanë protestuar për afro dy orë në fakultetet përkatëse, e më pas rreth orës 10:00 kanë filluar grumbullimin e tyre para Kryeministrisë. Studentët kanë ftuar edhe qytetarët, ndërkaq raportohet se pjesë e kësaj proteste janë edhe militantë të partive politike.

Po sot, disa studentë kanë gozhduar dyert e Fakultetit të Juridikut dhe te Politekniku pasi sipas tyre, disa dekanë dhe rektorë kanë kërkuar të fillojë mësimi.

Më herët, në përgjigje të kërkesave të studentëve Kryeministri Edi Rama lançoi Paktin për Universitetin.

Në ditët e fundit të muajit dhjetor, Këshilli i Ministrave miratoi disa vendime duke tejkaluar kërkesat e studentëve, që nga heqja e tarifës së studimeve për studentët në nevojë dhe ekselentët, përgjysmim të tarifës për të gjithë studentët, bursë shtetërore deri në 100 mijë lekë të vjetra çdo muaj, vijim i investimeve në konvikte si dhe nisjen e punës për kartën e studentit sipas një modeli konkret nga vendet e Bashkimit Europian.

Përmes VKM, qeveria vendosi një mundësi të barabartë për të gjithë studentët, duke marrë përsipër pagesën e 50% të tarifës së regjistrimit drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit. Kjo tarifë regjistrimi para këtij vendimi paguhej e plotë nga vetë studentët.

Studentët me notë mesatare mbi 9 do të përfitojnë financimin 100% nga qeveria të tarifës së tyre të regjistrimit, si dhe përfitojnë bursë prej 10 mijë lekësh të reja. Po ashtu, studentët që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, të verbërit, para dhe tetraplegjikët do të marrin financimin e plotë 100% të tarifës dhe po ashtu do të fitojnë bursë studimi prej 10 mijë lekësh të reja.

Lidhur me kushtet e konvikteve për studentët janë investuar 18.8 milionë euro dhe këtë vit nis faza e dytë e investimeve që kap vlerën e 11.4 milionë eurove.

z.tosku/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Reshjet e dëborës në Gjirokastër, rrugët nacionale kalohen pa zinxhirë
Artikulli tjetërKAMBOXHIA – Festohet 40-vjetori i rrëzimit të regjimit të Kmerëve të Kuq