TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ – Në sallën e konferencave të bashkisë së Beratit u organizua sot takimi me nxënësit e dalluar të shkollave 9-vjeçare.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë, Petrit Sinaj, punonjës të institucionit të bashkisë, prindër, mësues dhe nxënës të shkollave.
Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i bashkisë shprehu kënaqësinë e tij që për dy vite rresht bashkia e Beratit në prag të festave të fundvitit ndan dhurata për nxënësit e dalluar.
Ai falënderoi nxënësit për arritjet e tyre, të cilët janë modeli që duhet ndjekur, falënderoi mësuesit për përkushtimin e tyre në edukimin e brezit të ri, prindërit për përkujdesjen që tregojnë, duke iu krijuar atyre kushte sa më të mira.
“Ky grup nxënësish janë si një pasqyrë për ne, ku ne shohim rezultatet e punës dhe të së ardhmes sonë”, – u shpreh ndër të tjera kryebashkiaku Sinaj.
Në vazhdim të aktivitetit u ndanë dhuratat për nxënësit e shkollave. /k.s/j.p/























