TIRANË, 17 dhjetor /ATSH-A.Fortuzi/- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një interviste televizive, është shprehur se forca politike që ai përfaqëson mbështet protestën e studentëve.
“Protesta është e drejtë, në radhë të parë. Kjo vjen si rrjedhojë e degjenerimit të plotë të arsimit të lartë. Përgjegjësi për këtë ka vetëm një njeri, ai që kaloi Ligjin e Arsimit të Lartë në vitin 2015, Edi Rama. PD e kundërshtoi këtë Ligj me të gjitha forcat. Ne përvijuam qëndrimin tonë politik karshi këtij Ligji. Ne do të anulojmë këtë Ligj që ditën e parë kur të vijmë në pushtet”, – tha Basha.
“Sot Rama harxhon më shumë për luksin në Kryeministri, e qejfet e hobet e shtrenjta të tij dhe të ministrave të tij. Harxhon më shumë për fasadat e ministrive se për universitetet dhe jo vetëm që i vjel taksa shqiptarëve për këtë, por i fut duart në xhep dhe qytetarëve dhe studentëve për arsimin”, – tha Basha.
“Procesi liberalizimit të universiteteve është një proces që është zhvilluar në shumë vende të botës dhe patjetër që ka defekte, por jo si ajo që ndodhi me Ramën, që me Ligjin e Arsimit të Lartë bëri një ligj klientelist e korruptiv. Qëllimi i Ligjit: shtrenjtimi i arsimit për të çuar studentët në privat. Kostoja e një familjeve për arsimin e lartë është 16 milionë lekë, teksa ka cilësinë më të dobët”, – tha Basha më tej.
“Dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë është domosdoshmëri”, – tha Basha. /e.caushi/





















