TIRANË, 10 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama propozoi sot dhënien e bursave për studentët e shkëlqyer që studiojnë në Shqipëri.
Përmes komunikimit “Dialog për universitetin”, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj një studenti, i cili pyeste mbi bursat dhe politikat mbështetëse për studentët e shkëlqyer që studiojnë jashtë vendit.
“Unë mendoj se duhet të jepen bursa edhe për studentët e shkëlqyer këtu. Këtë ju se keni kërkuar fare, por unë mendoj se ne duhet të forcohemi dhe studentëve të shkëlqyer këtu, t’u japim bursë”, tha Rama.
Sipas tij, “ka disa bursa për studentët e shkëlqyer në perëndim”. “Por, përse mos t’u japim edhe këtyre këtu, Jo sa atyre jashtë por mund t’ju akordojmë një bursë. Por të gjitha këto duhen diskutuar në mënyrë që të kemi një pasqyrë se ku do të shkojmë me këtë hap. Sepse jep lekë dhe bursat dhe ato shkojnë për të paguar profesorët për provime, apo diçka tjetër, unë këtë nuk e bëj sepse nuk ma pranojnë taksapaguesit shqiptarë”, tha Rama. /a.g/











