Ballina Aktualitet

Buxheti 2019 miratohet sot në Kuvend

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare për të miratuar disa ligje të rëndësishme, ndër të cilat Buxhetin e Shtetit për vitin 2019.

Në rendin e ditës së seancës së sotme plenare është po ashtu edhe projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar.

Në seancën e sotme plenare pritet edhe miratimi i disa marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare ndër të cilat projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e Lisbonës për mbrojtjen e emërtimeve të origjinës dhe regjistrimin e tyre ndërkombëtar”.

Dy marrëveshje të tjera ndërkombëtare që do të kalojnë në seancën e sotme plenare janë edhe miratimi i projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në amendamentin e Kigalit të protokollit të Montrealit, “Për substancat që hollojnë shtresën e ozonit””, si dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Komisionit Evropian për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë – Republika e Shqipërisë, 2014-2020, alokimet e vitit 2017”.

Seanca plenare do të vijojë po ashtu me disa projektligje të rëndësishme ekonomike, ndër të cilat projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar; projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar; projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.

Po ashtu pritet miratimi i projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Seanca do të vijojë edhe me miratimin e projektvendimit “Për emërimin e një anëtari të Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë”, ndërsa pritet edhe miratimi i projektligjeve të mbartura si ai “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar””. /m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAlexandru Giboi: Agjencitë e lajmeve, rol kyç kundër “Fake News”
Artikulli tjetërKrasniqi: “Fake news”, koha për një përgjigje globale