TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ – Tradita shqiptare e kulinarisë u prezantua në Belgjikë në një aktivitet të veçantë.
Në Bruksel është zhvilluar panairi “Ditët e Kulinarisë shqiptare në Bruksel”.
Në këtë nismë që vjen si një bashkëpunim i Agjencisë Kombëtarë të Diasporës me “Institutin Kulinar Neranxi”, ishte i pranishëm edhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
“Promovimi i kulturës dhe traditës së kulinarisë shqiptare në Bruksel vazhdon edhe sot në “Place du Luxembourg”. Aktiviteti organizohet nga Agjencia Kombëtare e Diasporës në bashkëpunim me Institutin Kulinar ‘Neranxi’ nën kujdesin e ministrit të Shtetit për Diasporën”, ka theksuar ministri Majko.
E veçanta e këtij aktiviteti është autobusi lëvizës, i cili ishte dje në sheshin “Place du Luxembourg”, ku edhe u zhvillua aktiviteti. Përgjatë këtyre dy ditëve të gjithë shqiptarët, por edhe qytetarë të tjerë të Brukselit, kanë mundësinë të shijojnë produktet tipike tradicionale shqiptare.
“Dita e Kulinarisë” përpos promovimit të produkteve dhe recetave shqiptare në Diasporë, si një nga elementet për ruajtjen e identitetit kombëtar, ka për qëllim të nxisë shkëmbimin e kulturave gastronomike dhe bashkëpunimit me kompani të vendit pritës të Diasporës shqiptare. /a.g/





























