Ballina Ekonomi

Investime për parandalimin e përmbytjeve

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama premtoi sot se do të vijojë të investohet për ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet.

Në fjalën e tij në prezantimin e buxhetit të bujqësisë në Ibë, Kryeministri Rama theksoi se “për herë të parë po zhvillohet prej disa javësh një punë intensive e Forcave të Armatosura në bashkëpunim me bashkinë e Fierit për parandalimin e mëtejshëm të përmbytjeve nga lumi Vjosë”.

Siç e nënvizoi edhe ministri Peleshi, vijoi ai, jemi duke çuar përpara një program bashkëpunimi me Republikën e Turqisë, nga ku shpresojmë të kemi rezultate të mëdha përfundimtare lidhur me gjithçka që ka të bëjë me kapacitetet parandaluese, sepse jo gjithçka mund të parandalohet.

“Besoj se e keni ndjekur para pak ditësh Italia kaloi rreth dy javë nën një ofensivë vdekjeprurëse të motit, u regjistruan mbi një duzinë të vdekurish dhe asgjëkundi nuk keni parë të shpërthejë lufta politike dhe që të vendoset nën akuzë qeveria italiane për atë që ndodhi, përkundrazi”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “ka përmbytje që shkojnë përtej mundësive dhe kapaciteteve mbrojtëse, por ajo që ne na takon është që të kemi maksimumin e kapaciteteve mbrojtëse gjë që për fat të keq ende sot nuk e kemi, sepse trashëguam një situatë me kapacitete mbrojtëse zero”. /k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSTRASBURG – Merkel mbështet krijimin e një ushtrie të vërtetë europiane
Artikulli tjetërSiguria ushqimore në Shqipëri, më e lartë se asnjëherë tjetër