Ballina Aktualitet

Elbasan, investime edhe në periferi

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Investime po kryhen në një prej zonave më periferike të Elbasanit, aty ku mbaron qyteti, për të bërë të mundur që në çdo cep qytetarët të kenë të njëjtat kushte dhe mundësi, si në qendër të qytetit.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini inspektuan përfundimin e lotit të parë të punimeve në rrugën “Besim Levonja” në lagjen “5 Maji”.

“Kjo është një prej lagjeve më periferike të Elbasanit. Është një investim i kërkuar prej shumë vitesh prej banorëve dhe sipas planifikimeve që ka bërë bashkia, kjo është faza e parë e projektit”, – tha Balla.

Ai i bëri thirrje të gjithë banorëve të tregojnë mirëkuptim për të spostuar muret rrethuese, sepse standardin e rrugës prej 12 m ne do ta respektojmë në çdo pjesë të Elbasanit, sepse për ne është shumë e rëndësishme që një investim që bëhet t’i rezistojë kohës.

“Në këtë apel timin për mirëkuptim u drejtohem banorëve, me qëllim që këto investime kaq të rëndësishme, që bashkia Elbasan bën, të vijojnë dhe të lidhin me infrastrukturë të re çdo lagje”, – tha Balla.

Kryetari i bashkisë gjithashtu theksoi se investimet do të vijojnë tashmë në periferi dhe në fshatra, pasi qendra e qytetit është sistemuar krejtësisht.

“Do të vazhdojmë të investojmë në të gjithë qytetin, përfshirë dhe periferinë. Kjo është një pjesë e investimit, shumë shpejt nis dhe pjesa tjetër, e cila do të përfshijë edhe disa shpronësime, ndërkohë që rregullsia dhe parametrat do të mbeten të njëjta”, – tha ai.

Rruga është ndërtuar sipas të gjitha parametrave, duke përfshirë edhe muret rrethuese të banesave që kanë qenë pjesë e projektit, për t’i bërë ato në të njëjtin standard dhe rregullsi.

Loti i dytë parashikon bashkimin e këtij aksi me lidhjet e tjera infrastrukturore dhe krijimin e një unaze të madhe të Elbasanit. /m.m/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëri-Kroaci-Mali i Zi, tre vende shumë mike dhe marrëdhënie të shkëlqyera
Artikulli tjetërSERBI – 800 mjekë largohen çdo vit nga vendi