TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i segmentit rrugor Shën Gjergj-Naun Kaçaku në Patos”.
Sipas vendimit, pronarët do të kompensohen me një vlerë të përgjithshme prej 13 684 429 lekësh, fond i cili do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Fier.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Ndërkohë pronarët kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë bashkisë Fier.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme u miratuan edhe disa ndryshime në vendimin për shpronësimin e pronarëve që preken nga projekti i rehabilitimit të lumit Gjanica në Fier.
Sipas këtyre ndryshimeve vlera e përgjithshme e kompensimit shkon në 406 393 235 lekë nga 402 655 835 lekë që ishte.
Vlera prej 402 655 835 lekësh përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë dhe vlera prej 3 737 400 lekësh nga buxheti i Bashkisë Fier.
/m.m/r.e/























