TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Erion Çaka, gjatë punimeve në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike të hënën tha se shqyrtimi i dosjeve për kthimin dhe kompensimin e pronave është një proces që do të vijojë me prioritet edhe gjatë këtij viti.
Çaka, duke parashtruar para ligjvënësve ndryshimet ligjore të miratuara nga qeveria në ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, tha se projektligji propozon shtyrjen e afateve ligjore deri në vitin 2027 për shqyrtimin e dosjeve dhe deri në vitin 2028 për ekzekutimin e vendimeve.
“Me ndryshimet e reja ligjore për njohjen e pronësisë, në vitin 2025 parashikohet që të trajtohen nga Agjencia e Kthimit të Pronave 1900 dosje, në vitin 2026 parashikohen 2470 dosje dhe në 2027 parashikohen të shqyrtohen 2470 dosje”, theksoi Çaka.
Sipas tij, për 20 532 vendime vlera financiare llogaritet në 120 miliardë lekë.
Çaka sqaroi se, sa i takon kompensimit financiar për vendimet përfundimtare të vlerësuara deri tani, 915 vendime kanë një vlerë financiare prej 4,3 miliardë lekësh. Për kompensimin total janë ekzekutuar 870 dosje me vlerë financiare 8,41 miliardë lekë dhe janë shpërndarë 764,67 hektarë tokë.
“Në lidhje me procesin e njohjes së pronësisë, që është një proces i përfshirë në një afat 3-vjeçar 2016-2019, janë plotësuar 9512 kërkesa për njohje pronësie nga 16 492, ose gati 57,8% e tyre”, tha Çaka.
Gjatë prezantimit, zëvendësministri i Drejtësisë, Tedi Dobi, sqaroi se ndryshimet ligjore erdhën si nevojë për zgjidhjen e kërkesave dhe problematikave të hasura nga Agjencia e Trajtimit të Pronës sa i përket përmbylljes brenda datës 31.12.2024 të procesit të shqyrtimit të kërkesave dhe kompensimit të subjekteve përfituese nga ligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar.
Deputeti Saimir Hasalla, në cilësinë e relatorit, vlerësoi rëndësinë e shtyrjes së afatit për zgjidhjen e problematikave të hasura për trajtimin në kohë të dosjeve nga ATP, si dhe duke u ndalur te kushtetutshmëria dhe përputhshmëria me Rregulloren e Kuvendit, ftoi kolegët ta miratojnë projektligjin në fjalë.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Nën drejtimin e kryetares Klotilda Bushka, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen e së hënës, shqyrtoi dhe miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediterane të 12 dhjetorit 2024, për ndryshimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët, miratuar me ligjin në lidhje me përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike, në kuadrin e kësaj konvente, të zbatueshme që nga 1 janari 2025”.
/a.f/r.e/























