Ballina Flash

Laboratori i Kontrollit të AKBPM-së me akreditim ndërkombëtar ISO, Koçiu: Garantojmë cilësinë e barnave në tregun shqiptar

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Laboratori i Kontrollit pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore është akredituar në 31 janar 2025 nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, duke marrë certifikatën ISO 17025:2017 si i vetmi laborator testues barnash i akredituar në Shqipëri sipas këtyre standardeve.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu gjatë vizitës në ambientet e laboratorit dhe inspektimit të entiteteve ekzaminuese u ndal në rëndësinë e kontrollit të barnave dhe benefitet që rrjedhin nga ky akreditim.

“Është një proces i gjerë dhe i gjatë pune dhe përpjekjesh për të arritur deri këtu, për të kapur standardet dhe sigurisht për të garantuar cilësinë e barnave që hyjnë në tregun shqiptar e përdoren nga popullata”, u shpreh Koçiu.

Laboratori i Kontrollit të Barnave është e vetmja strukturë e kontrollit të cilësisë së barnave në Shqipëri dhe pajisja e tij me këtë akreditim ndërkombëtar vendos një standard të munguar duke garantuar kështu rezultate laboratorike të besueshme, të sakta dhe transparente.

Me implementimin e pajisjeve të reja dhe indekset e akreditimit ndërkombëtar pritet që për vitin 2025 të dyfishohet numri i analizave dhe zgjerohet gama e tyre, duke realizuar analiza për kategori barnash që nuk janë kryer ndonjëherë, si psh. ato citostatike (tumorale), imunoterapitë dhe gjithë kategoritë e tjera të produkteve farmaceutike, duke aplikuar procedurat e Farmakopesë Europiane. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKosova, përmirësim në renditjen e perceptimit të korrupsionit
Artikulli tjetër“Paketa e Maleve”, Shalsi: Emigrantët, interes për investime