TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla u shpreh sot në një intervistë për “Report Tv” se, kushtëzimi i opozitës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor me lejimin e votimit të shtetasve shqiptarë me dokumente të huaj, është një alibi e opozitës për të prishur zgjedhjet.
Balla, njëherazi edhe i deleguari i PS për diasporën, tha se, ky është një diskutim i mbyllur, ndërsa thekson se as KQZ nuk do mund të verifikonte dot dokumentet e një shteti të huaj.
“Pse opozita duhet ta kushtëzojë këtë me çështje të tjera që janë të parealizueshme. Opozita thotë të votojnë edhe shtetas me dokumente të shteteve të tjera. Këtë diskutim e kemi mbyllur në vitin 2008 kur kemi bërë reformën, kemi thënë jo me dokumente të huaja, po as me dokumente shqiptare jobiometrike nuk mund të votosh. Këtë diskutim e kemi mbyllur, kthehemi pas 16 viteve dhe themi do lejojmë të votojmë dhe me dokumente të tjera të një vendi tjetër. KQZ ka ngritur një infrastrukturë, PER nuk është një gjë, pas saj qëndrojnë baza të dhënash që vërtetojnë dokumentin në fjalë. Këtu nuk bëhet fjalë që ti vetëm ngre ato, por dokumentet të verifikohen. Ne do kërkojmë në SHBA të na japin akses në bazën e të dhënave, është e pamundur nuk ta jep dot asnjë shtet”, u shpreh Balla.
Balla theksoi se PD nuk po futet për të fituar zgjedhjet, por për garantuar sërish një grup besnik të kryetarit të PD, Sali Berishës.
“Nëse PD vazhdon të insistojë, kjo është për të prishur zgjedhjet, jo për të ndihmuar dikë. I sfidova në Kuvend, u thashë mos e keni alibi. Ju e dini që do humbni zgjedhjet, edhe vetë kolegë të PD në diskutime informale thonë që ne e dimë që po humbim. Ata nuk po futen për të fituar, po futen që Berisha të këtë një grup besnik që të vazhdojë historinë e ballkonit, dritares, rrugës së lirisë”, theksoi Balla.
Drejtuesi politik i PS për diasporën i bëri thirrje opozitës që të reflektojë dhe të hedhë votën për të mundësuar që shteti të paguajë edhe kthimin e zarfit me votën e emigrantëve, fond i cili do të përballohet nga buxheti i shtetit.
Balla shtoi se vota e diasporës do numërohet do apo s’do opozita.
“Do jemi të detyruar të gjejmë zgjidhje. Vota e diasporës do numërohet do apo s’do PD. Shpresoj një reflektim nga PD, por Kuvendi duhet t’i hapë rrugë 3 çështjeve për të cilat ka një dakordësi në të gjitha krahët, pjesa e pagesës së postës në kthim, zgjerimi i afatit të regjistrimit të koalicioneve, partive dhe kandidatëve. Afatet duhet të spostohen të gjitha me 10 ditë”, vijoi Balla.
Ministri Balla tha se në zgjedhjet parlamentare të 11 majit Partia Socialiste synon 84 mandate.
“U kërkoj vëllezërve e motrave në diasporë të regjistrohen sa më shumë, se na duhet të mos mbetemi peng, na duhen pak vota për të arritur me shumicë me 84 mandate që ta çojmë deri në fund votën e diasporës. Imagjinoni t’u marrë mend perëndia kundërshtarëve tanë dhe mos të pranojnë të votojnë këto tre çështje që janë jetike. Të mos mbetemi peng, se në mandatin e ri na duhet që PS të ketë të paktën 84 mandate të mos mbetemi peng e të çojmë para reformat e rëndësishme që lidhen me përmbushjen e kritereve për anëtarësimin e Shqipërisë brenda këtij mandati të ri. Mos na lini peng të Saliut, po na jepni mbështetjen për të çuar para vizionin Shqipëria 2030”, u shpreh Balla. /j.p/























