TIRANË, 24 janar /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci bëri me dije se ka filluar ndërtimi i rrugës së Komanit. Kjo rrugë, sipas tij, i shërben një numri të konsiderueshëm banorësh së bashkisë Vau i Dejës, lidh hidrocentralet me njëri-tjetrin dhe është pikënisja e eksplorimit të Alpeve për mijëra turistë nga e gjithë bota.
Sipas Becit, gjendja e degraduar në të cilën ndodhej kjo rrugë deri përpara nisjes së investimit, e bënte atë një ftesë jo dinjitoze për turizmin në veri e në të gjithë vendin.
“Para disa vitesh në cilësinë e drejtuesit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), me mbështetjen e qeverisë, ndërmora nismën për financimin e ndërtimit nga të ardhurat e korporatës, plotësisht i bindur se përtej të qenit e domosdoshme ishte detyrim i korporatës ndaj banorëve të zonës pas dekadash të shfrytëzimit të luginës së Drinit për prodhim energjie elektrike për të gjithë vendin. Ishte dhe një nga angazhimet kryesore si deputet i zgjedhur i qarkut Shkodër në 2021″, shprehet Beci.
“Kombinimi i një sërë të papriturash si, gjendja financiare e rënduar pas krizës energjetike, stërzgjatja e procedurave administrative e gjyqësore për lidhjen e kontratës, personalisht më patën lënë barrën e rëndë të një premtimi të parealizuar, por mbi të gjitha duke mbajtur zonën peng të një mundësie të jashtëzakonshme zhvillimi”, thotë Beci.
Kryebashkiaku i Shkodrës, rikujton faktin se vjet kryeministri Edi Rama premtoi që rruga do të fillojë me çdo kusht, pavarësisht nga kostoja jo e vogël e investimit.
“Kjo është një fitore e madhe për mundësitë e zhvillimit në qarkun Shkodër dhe jam i sigurt që është vetëm hapi i parë i një sërë nismave publike e private që kanë për të futur në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm një nga zonat më të bukura të vendit”, thekson Beci. /j.p/























