TIRANË, 24 janar /ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat, sekuestroi pasuritë e shtetasve A.L dhe A.Ç nën hetim për veprën penale të “Mashtrimit”.
Prokuroria e Beratit njofton se në “kuadër të hetimeve, të realizuara në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale u arrit në dyshime të arsyeshme, se shtetasi A.L., në bashkëpunim me shtetasin tjetër A.Ç, rezultojnë se kanë mashtruar persona të ndryshëm në disa qytete, duke përfituar shuma të mëdha monetare në lekë dhe valutë të huaja”.
“Për këtë arsye, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, kërkoi sekuestrimin e të gjitha llogaritë bankare dhe pasurive të paluajtshme të shtetasve të mësipërm me banim në Berat”, njofton Prokuroria e Beratit.
Me kërkesë të prokurorisë u sekuestruan pasuritë e këtyre shtetasve në disa banka të nivelit të dytë në Berat dhe Tiranë, shumat e mëposhtme: 668.290.299,4 lekë; 1.110.392,37 EURO; 224.470,28 USD.
Po ashtu janë sekuestruar dhe dhjetë pasuri të paluajtshme të këtyre shtetasve në Tiranë, Vlorë edhe Berat.
Nga ana e Sektorit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar nën drejtimin e Prokurorisë së Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, vazhdojnë veprimet hetimore në funksion të procedimit penal 523/2024.
/a.f/r.e/





















