Ballina Flash

SHBA i dhuron skaner CT spitalit rajonal Durrës, i shërben rreth 20 mijë pacientëve

TIRANË, 16 janar/ATSH/  E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA, Nancy VanHorn dhe nënkolonel Josh Magnusson i Zyrës së Bashkëpunimit për Mbrojtjen dhuruan në emër të qeverisë së SHBA një skaner CT (tomografi e kompjutuar) për Spitalin Rajonal të Durrësit, në një ceremoni të zhvilluar sot, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Në njoftim për mediet, Ambasada e SHBA në Tiranë u shpreh se “skaneri i ri, me vlerë 450,000 USD do të përmirësojë kapacitetet e skanimit dhe diagnostikimit për rreth 20,000 pacientë që mbështeten tek spitali për shërbime shëndetësore çdo vit”.

“Programi i Ndihmës Humanitare i Zyrës së Bashkëpunimit për Mbrojtjen, në kuadrin e Komandës Europiane të SHBA, i ka filluar konsultimet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në vitin 2022 për të përmbushur nevojën e spitalit për pajisje diagnostikuese shtesë. Spitali përfundoi instalimin e skanerit dhe trajnimin e personelit që do ta përdorë këtë muaj. Skaneri i ri CT demonstron se forca e Aleancës së NATO-s shkon përtej bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes”, bën të ditur Ambasada e SHBA në Tiranë.

Prej vitit 1999, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA ka ofruar më shumë se 14 milionë dollarë për të ndërtuar kapacitete në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe gatishmërisë për emergjencat në Shqipëri.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNgrihet Komisioni i Verës, Denaj: Harmonizojmë sektorin me standardet europiane
Artikulli tjetërVila e ish-diktatorit kthehet në rezidencë artistike, Gonxhja: Hotspot i ri në kryeqytet