Ballina Aktualitet

I dënuar për disa vepra penale, Gjykata e Tiranës sekuestron pasuritë e Sokrat Carit

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës janë sekuestruar pasuritë e shtetasit Sokrat Cari, i dënuar më parë për veprat penale: “Moskallëzim të krimit”, “Falsifikimi të dokumenteve” dhe “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Prokuroria e Tiranës njofton se në kuadër të hetimeve të procedimit pasuror nisur në vitin 2011 rezultoi se shtetasi Sokrat Cari (i cili ka ndërruar jetë në vitin 2022) dhe familjarët e tij, nuk kanë pasur burime financiare për krijimin e pasurive që zotëronin deri në vitin 2005 dhe kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, çka vërteton se kjo pasuri është vënë si rezultat i veprimtarisë kriminale.

“Prokuroria vlerësoi se kjo pasuri e luajtshme dyshohet se është fituar nga personi i dënuar Sokrat Cari, si rezultat i përfshirjes së tij në aktivitetin e prodhim dhe shitje narkotikësh. Shtetasi në fjalë në vitin 2007 është shpallur fajtor për veprën penale ‘Falsifikim të dokumenteve’ ndërsa në 2011, u deklarua fajtor nga gjykata e Tiranës për Veprat Penale ‘Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike’ dhe ‘Moskallëzim krimi’ për të cilin ka marrë edhe dënimin përkatës”, njofton prokuroria.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi sekuestrimin e pasurive dhe gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për pasuritë: Pasuria e Paluajtshme Godinë banimi dhe shërbimi 3 kate me papafingo, zk 8250, sipërfaqje ndërtimi 156.2 m2, sipërfaqje totale 388.6 m2, numri i kateve 4, Rruga “Besim Imami”, vila nr.34; Pasuria e Paluajtshme e llojit “Njësi”, Nr.5/605/ND-N15, vol 21, fq 159, ZK 8250, Sip 95.1m2, Rruga “Zhan D’Ark”, godina 10, kati përdhe, Tiranë; dhe Automjeti Kamionçinë, blerë sipas Deklaratës Doganore 21.03.2005. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Polish Aid” në Shqipëri gjatë vitit 2024
Artikulli tjetërBM – Starmer viziton Ukrainën për të nënshkruar marrëveshje partneriteti