Ballina Aktualitet

KQZ, kryebashkiakët nuk mund të ndryshojnë vendndodhjen e qendrave të votimit pak ditë para zgjedhjeve

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Komisioni Rregullator i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve miratoi sot disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin “Përcaktimi i rregullave për ngritjen, caktimin dhe njoftimin e vendndodhjes së qendrave të votimit dhe përgatitjen e hartës së njësisë së vetëqeverisjes vendore për zgjedhjet”, i ndryshuar.

Në një njoftim për shtyp, KQZ bën të ditur se “shtesat dhe ndryshimet e miratuara konsistojnë në kufizimin e ndryshimit të vendndodhjes së qendrave të votimit nga kryetarët e bashkive pak ditë para datës së zgjedhjeve, me qëllim garantimin e stabilitetit dhe shmangien e konfuzionit të zgjedhësve”.

“Gjithashtu, parashikohet mekanizmi i monitorimit dhe hapat që duhet të ndiqen nga administrata e KQZ në rastet kur evidentohen kryesisht apo me ankesa, mospërmbushja e kritereve ligjore për caktimin e QV-ve, si dhe gjetjen e ambienteve alternative nga administrata në raste problematike”, thuhet në njoftim.

Sipas KQZ-së, shtesat dhe ndryshimet e miratuara synojnë rritjen e qartësisë ligjore, sigurimin e një procesi të rregullt, përmirësimin e standardeve të aksesueshmërisë dhe transparencës për të gjitha palët e përfshira në proces.

/k.s/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Udhëtim transformues i Shqipërisë në turizëm, 11,7 milionë vizitorë të huaj vitin e kaluar
Artikulli tjetërKoçiu: 16 259 vaksina HPV u kryen në vitin 2024 te grup-mosha 14-20 vjeç