Ballina Aktualitet

26 vite nga masakra e Reçakut, Balla: Akt barbar që ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla përkujtoi sot 26-vjetorin e masakrës së Reçakut në Kosovë.

Balla theksoi se “ky akt barbar që ndodhi në këtë fshat të vogël ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës”.

“26 vite më parë, më 15 janar të vitit 1999, ata pak banorë që nuk ishin larguar ende nga fshati Reçak i Komunës së Shtimes në Kosovë u zgjuan herët në mëngjes nga krismat e armëve që ishin bërë të zakonshme në atë periudhë të luftës. Atë ditë në këtë fshat, që është rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë”, u shpreh Balla në një reagim në rrjetet sociale.

Balla kujtoi se “kjo ngjarje, ishte cilësuar si masakër edhe nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker”.

/m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKIEV – Rusia kryen sulme masive kundër objekteve energjetike të Ukrainës
Artikulli tjetërAmbasadori italian mbyll misionin 5-vjeçar: Do t’më mungojë Shqipëria, gjithçka e kam bërë me zemër