Ballina Aktualitet

Berisha: Do të ulim në 70 lekë çmimin e energjisë

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me kryesinë e partisë, ku në fokus të diskutimeve ka qenë diaspora dhe procesi i votimit nga ana e saj.

Duke folur në mbledhjen e kryesisë së PD, për votën e diasporës, Berisha u shpreh se, “ky është një eveniment i jashtëzakonshëm, i një rëndësie shumë të madhe në historinë elektorale”.

Teksa foli për mazhorancën, Berisha u shpreh se “ata nuk kanë program, por vetëm mashtrime”.

“Nuk u ofrojnë asgjë qytetarëve, përveç cinizmit të tyre, përveç përçmimit”, tha Berisha.

Berisha tha më tej se do të ulin në 70 lekë çmimin e energjisë.

“Modeli ynë: Enti Rregullator i Energjisë do të vendosë, do të rikthejë jo 77, por 70 lekë 300 kilovatët e parë. 100 lekë, jo 115 fashën e dytë. Kurse bizneset do të zbresin përsëri në 60 lekë”, tha Berisha.

Në fund të fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u ka bërë thirrje diasporës dhe emigrantëve kudo që janë, të regjistrohen në portalin e KQZ-së, për të pasur mundësinë që të votojnë.

“Është e vërtetë që ka vështirësi, pse e tek, auditi ynë, një grup i yni po bën auditin e platformës dhe me shpejtësi do të na informojë se ku qëndrojnë problemet. Por përsëri, thirrja ime është: Mos e humbni durimin! Aplikoni dy, tri herë, deri sa të regjistroheni”, tha Berisha.

Berisha shtoi se “përveç kësaj, PD ka hapur portalin e saj në të cilën cilido që kërkon të mësojë më shumë, për procedurën e regjistrimit, regjistron emrin aty dhe në mënyrë automatike merr të dhëna të sakta, të plota, se çfarë procedure duhet të ndjekë, për t’u regjistruar në KQZ”.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme. I garantoj se të dhënat e tyre, kanë garanci absolute në këtë faqe dhe se kjo shkurton rrugën me instruktazhin që merr për regjistrimin në KQZ.

Platforma e KQZ-së mund të ketë defektet e veta, ato do të përmirësohen. Auditi teknik së shpejti do të dalë me konkluzione për të gjetur ku janë problematikat dhe për t’i korrigjuar sa më shpejt”, tha Berisha.

/r.e//a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMoti i keq, Beci: Vijon puna për të mbajtur të hapur segmentin Bogë-Theth
Artikulli tjetërMuzhaqi: Dëgjimi i të rinjve, pjesë kyçe e punës së qeverisë