TIRANË, 13 janar/ATSH/ Reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme në disa akse rrugore të qarkut Elbasan.
Përmes një njoftimi për shtyp, prefektura e qarkut Elbasan njoftoi mbi situatën e akseve rrugore, ndërsa bëri apel për kujdes në qarkullim.
Konkretisht, nga rënia e dëborës ditën e sotme ka bllokim të rrugëve që lidhin Njësinë Administrative Labinot Mal.
Trashësia e dëborës arrin deri 20 cm. Po kështu rruga për në Njësinë Administrative Funar është e kalueshme vetëm me mjete me zinxhirë.
Po ashtu reshje bore ka dhe në Njësinë Administrative Gracen, por rruga është e hapur nga subjekti kontraktor.
Në Librazhd janë të bllokuara një pjesë e mirë e rrugëve rurale që lidhin fshatrat me Njësinë Administrative.
Aksi rrugor nacional Librazhd-Steblevë deri në Borovë është i kalueshëm me zinxhirë.
Në Përrenjas është e njëjta situatë.
Ndërsa në Gramsh ka reshje dëbore, por deri në orën 18:30 të ditës së djeshme nuk u raportua bllokim i rrugëve rurale.
Probleme raportohet në furnizimin me energji elektrike në njësinë administrative Labinot Mal, Funar bashkia Elbasan, njësitë Orenje, Lunik dhe Steblevë bashkia Librazhd dhe njësitë administrative Lenie, Kushove, Kudovjat.
/m.m/j.p/






















