Ballina Ekonomi

Ulja e çmimit të energjisë, Rama ndan videon: Transformim epokal, nxorëm vendin nga vrima e zezë

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Pas vendimit të djeshëm të ERE (Entit Rregullator të Energjisë) për uljen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë nga 9,5 në 8,5 (pa TVSH) për konsum deri në 700 kilovat, kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamjet e vitit 2013 për pagesat e energjisë elektrike.

Në pamje, duken radhët e gjata të abonentëve që presin të paguajnë faturat e energjisë elektrike, ndërsa transformimin sot në sektorin energjetik, kryeministri Rama e konsideron “epokal”.

‘Me këtë videokartolinë të transformimit epokal në sektorin energjetik prej vitit 2013, kur Shqipëria ishte vrimë e zezë në mes të Evropës me vjedhjet e humbjet katastrofike të energjisë, radhët e gjata të gjysmës së popullit për të paguar faturat edhe për gjysmën që s’paguante, lëvizjet skandaloze të çmimit e zhurmat e gjeneratorëve nëpër rrugë, e deri sot kur jemi prodhuesit më të mëdhenj të energjisë diellore në rajon, kemi shërbime të digjitalizuar e një volum investimesh në vazhdim që do të na japin pavarësinë e plotë energjetike brenda mandatit të katërt, ndërkohë që kemi vendosur uljen e parë në 35 vjet të çmimit për konsumatorët familjarë, nga e cila përfitojnë mbi 1 milionë abonentë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) vendosi dje që çmimi për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kilovat, do të jetë 8,5 lekë për kilovat (pa TVSH).
Për ato familje që konsumojnë më shumë se 700 kilovat, çmimi do të jetë 9,5 lekë për kilovat (pa TVSH).

Ky vendim hyn në fuqi për periudhën 1 shkurt deri në 31 dhjetor 2025.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakANALIZË – Idetë e presidentit Trump përballen me murin e aleatëve perëndimorë
Artikulli tjetërKumbaro ndan pamje nga Çajupi: Destinacion turistik, me peizazhet e tij ta kënaq shpirtin