TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla shprehu sot ngushëllime për vdekjen e ish-presidentit James Earl Carter Jr. i cili shërbeu si President në Shtetet e Bashkuara nga viti 1977 deri në vitin 1981.
Balla la një mesazh përkujtimi dhe homazhi në Librin e Ngushëllimit të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, në nder të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara James “Jimmy” Carter, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.
“Presidenti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, James “Jimmy” Carter do të kujtohet gjithmonë si një president i përkushtuar në gjetjen e zgjidhjeve paqësore të konflikteve ndërkombëtare, në promovimin e vlerave demokratike, të të drejtave njerëzore dhe zhvillimit ekonomik the social. U prehtë në paqe!”, shkroi ministri Balla.
Ish-presidenti amerikan, James Earl Carter Jr. vdiq më 29 dhjetor 2024, në moshën 100-vjeçare, në shtëpinë e tij në Xhorxhia.
Pas përfundimit të presidencës, ai dhe gruaja e tij Rosalynn themeluan qendrën ”Carter” në Atlanta për të promovuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin ekonomik.
Rosalynn, me të cilën ishte i martuar për 77 vjet, u nda nga jeta pak më shumë se një vit më parë.
Carter drejtoi qeverinë amerikane nga viti 1977 deri në vitin 1981.
Në vitin 2002, atij iu dha Çmimi Nobel për Paqe për “përpjekjet e tij prej dekadash për të gjetur zgjidhje paqësore për konfliktet ndërkombëtare”.
/r.e/























