Ballina Flash

Përkujtohet Avni Mula në ditën e lindjes, Gonxhja: Vuri themelet e artit operistik

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka përkujtuar sot artistin e ndjerë Avni Mula, në ditën e tij të lindjes.

“Në ditën e tij të lindjes, nderojmë dhe përkujtojmë një nga figurat më të shquara të artit shqiptar, Nderin e Kombit, Avni Mulën. Një artist i përmasave të rralla, i cili jo vetëm që vuri themelet e artit operistik në vendin tonë, por edhe e ngriti atë në lartësi të reja. Me mbi 30 role si bariton në kryeveprat botërore dhe shqiptare, ai mbeti një ikonë e belkantos, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike.

Kompozitor i operetave si “Karnavalet e Korçës” dhe operës “Borana,” si dhe autor i shumë këngëve të pavdekshme, përfshirë “Valsin e lumturisë”, Avni Mula do të mbetet përgjithmonë simbol i kulturës dhe artit tonë kombëtar”, shkruan ministri Gonxhja në një postim në Facebook.

Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta për muzikë i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës, ku u diplomua si këngëtar lirik. Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operas dhe Baletit, duke realizuar rolet kryesore të repertorit operistik të kohës.

Mes roleve të shumta, Mula spikati me Figaron te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginin tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetën tek “Mrika” e Prenk Jakovës.

Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.

Për kontributin e tij si kompozitor është vlerësuar me titujt “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGAZA – Më shumë se 40 të vrarë në sulmet e fundit izraelite
Artikulli tjetërRUSI – Moska kërcënon me hakmarrje pas sulmit ukrainas me Atacms