BAKU, 30 dhjetor /ATSH-AFP/- Azerbajxhani tha sot se Moska kishte premtuar se do të ndëshkonte përgjegjësit për rrëzimin e avionit të Azerbajxhanit, që Baku thotë se u qëllua nga mbrojtja ajrore ruse.
Avioni AZAL Embraer 190 u rrëzua në Kazakistan më 25 dhjetor, duke shkaktuar vdekjen e 38 personave nga 67 që ndodheshin në bord.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka kërkuar që Moska të pranojë përgjegjësinë për rrëzimin, gabimisht të avionit – ndërsa po përpiqej të bënte një ulje të planifikuar në aeroportin e Groznit, në Rusinë jugore.
Rusia nuk ka konfirmuar ende që një nga raketat e saj të mbrojtjes ajrore mund të ketë goditur avionin – megjithëse presidenti Vladimir Putin i tha Aliyev gjatë një bisede telefonike në fundjavë – se sistemet ishin aktive në atë kohë – dhe se i vinte keq që incidenti kishte ndodhur në hapësirën ajrore ruse.
“Po kryhen masa intensive për të identifikuar personat fajtorë dhe për t’i vendosur ata përballë përgjegjësise penale”, tha prokurori i përgjithshëm i Azerbajxhanit duke cituar kreun e Komitetit Hetues të Rusisë.
Rusia ka hapur një hetim penal për incidentin.
Por ajo nuk ka thënë nëse avioni është goditur nga një nga raketat e saj të mbrojtjes ajrore.
Duke kërkuar që Putini të pranojë përgjegjësinë, Aliyev akuzoi gjithashtu Rusinë për paraqitjen e teorive alternative që “tregonin qartë se pala ruse dëshironte të mbulonte çështjen”.
Rusia tha se Grozny, në rajonin jugor rus të Çeçenisë, po sulmohej nga dronët ukrainas kur avioni AZAL u afrua për të bërë uljen e tij përmes mjegullës së dendur.
Të mbijetuarit kanë përshkruar se kanë dëgjuar shpërthime jashtë avionit, i cili më pas devijoi më shumë se 400 kilometra përgjatë Detit Kaspik drejt qytetit të Kazakistanit Aktau, ku u ul duke u përplasur.
Kazakistani tha të hënën se kishte dërguar “një regjistrues fluturimi” të avionit në Brazil, ku ato do të analizohen nga Qendra e Hetimit dhe Parandalimit të Aksidenteve Aeronautike, një njësi e forcave ajrore braziliane. //a.i/























