Ballina Bota

BERLIN – Gjermania i ofron Ukrainës një ndihmë të re ushtarake

BERLIN, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Ukraina ka marrë një ndihmë të re ushtarake nga Gjermania, tha sot Ministria e Mbrojtjes në Kiev.

Dërgesa, e konfirmuar edhe nga qeveria gjermane, përfshin 15 tanke luftarake “Leopard 1 A5”, dy tanke kundërajrore “Gepard”, një obus vetëlëvizës “Panzerhaubitze 2000”, dy sisteme kundërajrore “Iris-T” dhe dy raketa-hedhës “Patriot”.

Sistemet kundërajrore janë kryesisht të rëndësishme për Kievin – për të luftuar sulmet me dronë dhe raketa të Rusisë, të cilat janë intensifikuar javët e fundit.

Qeveria gjermane tha se dorëzimi i sistemeve shtesë “Iris-T” ishte premtuar në vitin 2023.

Gjermania i ka dhënë Ukrainës 65,000 fishekë shtesë për tanket kundërajrore “Gepard”, si dhe municione të tjera për sistemin “Iris-T”.

Përveç kësaj, Berlini ka furnizuar Kievin me raketa “AIM-9L/I Sidewinder”, të cilat mundësojnë avionët luftarakë të sulmojnë objektivat në ajër.

Përveç armëve të rënda, paketa e re gjermane përfshin edhe kamionë, drone, sisteme radari dhe municione.

Gjermania ka ofruar një ndihmë ushtarake me vlerë rreth 28 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën.

Pjesa më e madhe e fondeve është përdorur për të financuar dërgesat e armëve nga industria, ndërsa pjesa tjetër, rreth 5,2 miliardë euro, janë dërgesa direkte nga rezervat ushtarake gjermane.

Gjermania është mbështetësja e dytë më e madhe e Ukrainës pas SHBA-së, duke ofruar armë dhe forma të tjera ndihme.

Ukraina ka mbrojtur veten kundër pushtimit të plotë të Rusisë që nga shkurti i vitit 2022. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjekmarkaj transferohet në QSUT për ndihmë më të specializuar
Artikulli tjetërAktori Nikolla Llambro vlerësohet me titull “Qytetar Nderi” në Gjirokastër