Ballina Aktualitet

U ndje keq gjatë protestës, Policia përgënjeshtron Berishën: Gjekmarkaj nuk është goditur nga ne

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit gjatë protestës së opozitës, Agron Gjekmarkaj, ditën e sotme ku ishte përqendruar tek “Pallati me Shigjeta”, pati një problem shëndetësor dhe u dërgua në spitalin e Traumës.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se, “ky është një akt kriminal i porositur direkt nga Edi Rama, i cili ndjek me tmerr protestën e opozitës dhe përzgjedh drejtues të saj për t’i targetuar. Edhe një herë, dënoj këtë akt të shëmtuar, këtë krim të vërtetë ndaj Gjekmarkajt në mosbindje civile.”

Por Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar reagimin e Berishës. Sipas policisë deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta.

“Policia e Shtetit përgënjeshtron si tërësisht të pavërtetë deklaratën në media të Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë. Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta”, njofton policia.

Policia e Shtetit thotë se “shpreh keqardhje për këto deklarata dhe, mbi të gjitha, për veprimet e dhunshme të deputetit Flamur Noka, i cili jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve”.

Policia e Tiranës njofton më tej se “ka evidentuar të gjithë ata shtetas që bllokuan në mënyrë antiligjore rrugën dhe kundërshtuan urdhrin e punonjësve të Policisë për ta liruar atë dhe do të procedohen sipas ligjit”

“Bllokimi i rrugëve është vepër penale, çka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve”, njofton policia.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIZRAEL – Netanyahu: Ka patur progres në marrëveshjen për lirimin e pengjeve në Gazë
Artikulli tjetërU ndje keq gjatë protestës, Berisha: Gjekmarkaj u godit nga Policia