KIEV, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi ashpër sot vizitën e kryeministrit sllovak, Robert Fico në Rusi.
Zelensky akuzoi Fico-n se kishte motive personale për vizitëe tij – dhe se ishte i varur nga Moska.
Fico është kritikuar ashpër edhe nga Republika Çeke dhe Lituania për takimin me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Pse ky lider është kaq i varur nga Moska? Çfarë po i paguhet dhe me çfarë paguan?”, shkroi Zelensky në X.
Fico e përshkroi vizitën e tij në Rusi si një përgjigje ndaj refuzimit të Zelensky për të vazhduar transportin e gazit rus në Sllovaki.
Sllovakia vazhdon të blejë gazin rus pavarësisht luftës së agresionit të Moskës kundër Ukrainës.
“Ndërsa vetë Fico përfiton nga zbritja në çmimin e gazit rus, Sllovakia nuk përfiton”, tha Zelensky.
“Zbritje të tilla nuk janë falas – pagesat për Rusinë bëhen përmes sovranitetit ose skemave të errëta. Kjo duhet të jetë një çështje shqetësuese për zbatimin e ligjit dhe shërbimet speciale të Sllovakisë”, shtoi ai.
“Qeveria çeke ka punuar për të arritur pavarësinë nga furnizimet ruse të energjisë – në mënyrë që ne të mos na duhet t’i drejtohemi një vrasësi masiv”, tha ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky në X – duke kritikuar gjithashtu vizitën e Fico-s.
Ndërkohë, disa qindra njerëz u mblodhën përpara zyrës së qeverisë në kryeqytetin sllovak, Bratislavë për të protestuar kundër vizitës se Fico-s.
Demonstruesit valëvitën flamujt e Sllovakisë, Ukrainës dhe Bashkimit Evropian.
Partia e vogël opozitare liberale “Liria dhe Solidariteti” tha se po shqyrton një mocion mosbesimi në parlament kundër Fico-s. //a.i/























