TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar ashpër sot ndaj pranimit publik të Sali Berishës se amnistia e votuar ishte një goditje kundër SPAK.
Basha e cilëson këtë veprim si “hipokrizi në formën e saj më të pastër”, duke e akuzuar Berishën për sabotimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të korruptuarve.
“Berisha pranon vetë se amnistia e votuar me Ramën ishte një goditje kundër SPAK, por nuk mban përgjegjësi për lirimin e të korruptuarve. Kjo është hipokrizi në formën e saj më të pastër. Dikur na akuzonte ne se po shpifnim vetëm sepse paralajmëruam disa herë pasojat e pazarit mes tij dhe Edi Ramës, ndërsa sot pranon hapur se pakti i tij me mazhorancën sabotoi drejtësinë dhe mesazhin që SPAK kërkon të çojë kundër pandëshkueshmërisë”, shkruan Basha.
Sipas Bashës, ky moment tregon qartë diferencën mes atyre që luftojnë me koherencë kundër korrupsionit dhe atyre që bëjnë pazare në kurriz të drejtësisë. Ai u bën thirrje qytetarëve të zgjedhin të ardhmen dhe integritetin më 11 maj.
/r.e/a.f/





















