TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Një aksion masiv pastrimi i vijës bregdetare në zonat e mbrojtura u ndërmor në të gjithë vendin në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Pastrimit të Bregdetit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga aksioni i pastrimit në plazhin e Divjakës.
Stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura Fier, në bashkëpunim me bashkinë Divjakë, institucionet lokale, shkollat, por edhe qytetarë vullnetarë e shumë të rinj u angazhuan për pastrimin e vijës bregdetare të Divjakës.
I cilësuar si një nga parqet kombëtare më të vizituara për turizmin natyror dhe atë të vëzhgimit të shpendëve ujorë, Divjakë-Karavastaja vitet e fundit është kthyer në destinacionin e mijëra turistëve vendas e të huaj.
Ndërkohë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Pastrimit të Bregdetit, në 21 shtator u organizua aksioni i madh i pastrimit, i cili u shtri edhe në plazhet e Velipojës, Kunes, Hamallajt dhe Nartës.
Nisma e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura përfshiu një territor me shtrirje prej 20 km zonë të mbrojtur bregdetare në gjithë vendin.
/m.m/













