TIRANË, 12 shtator /ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA ka konfirmuar shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Elina Kombi.
Sipas njoftimit për mediet, vendimi u mor në mënyrë unanime të mërkurën e 11 shtatorit nga trupi gjykues i KPA, kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtare Albana Shtylla, Mimoza Tasi e Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Kombit. Vendimi hyn menjëherë në fuqi, duke e larguar përfundimisht prokuroren Kombi nga sistemi i drejtësisë.
Kombi u shkarkua nga detyra prej Komisionit më 3 shkurt 2022, për probleme të pasurisë. Kombi nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ajo fillimisht punoi si prokurore në Prokurorinë e Pogradecit dhe prej vitit 2013 e deri në shkarkimin nga detyra e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Tiranës.
/a.f/























