BARCELONË, 30 korrik /ATSH-DPA/- Liderët e partisë separatiste të krahut të majtë katalanas ERC dhe kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sanchez ranë dakord në parim për formimin e një qeverie të re rajonale, sipas një deklarate nga një zëdhënëse e ERC dje në mbrëmje.
Salvador Illa, Partia Socialiste e të cilit u bë forca më e fortë në parlamentin rajonal në zgjedhjet e parakohshme në maj, mund të bëhet kreu i ri i qeverisë rajonale të Katalonjës.
Nëse konfirmohet, Illa do të ishte politikani i parë në një kohë të gjatë që mban postin dhe kundërshton shkëputjen e rajonit.
Megjithatë, marrëveshja duhet ende të miratohet nga anëtarësia bazë e ERC-së, pas një seance konsultimi që do të zhvillohet të premten.
Nëse marrëveshja kundërshtohet, do të duhet të organizohen zgjedhje të reja.
Partia e dytë më e madhe separatiste, Junts, e udhëhequr nga ish-lideri në mërgim Carles Puigdemont, ka kundërshtuar marrëveshjen.
Ai kërkoi ta çonte Kataloninë drejt pavarësisë në 2017 me një referendum që u shpall i paligjshëm dhe aktualisht rrezikon arrestimin nëse kthehet në vendlindje.
Qeveria spanjolle premtoi një amnisti për separatistët dhe e bindi parlamentin të mbështeste masën.
Në këmbim, ligjvënësit Junts në parlamentin qendror në Madrid votuan gjithashtu në favor të rizgjedhjes së Sanchez si kryeministër i Spanjës.
Megjithatë, drejtësia spanjolle nuk e ka anuluar ende urdhërarrestin për Puigdemont.
Për Sanchez, nëse Illa zgjidhet, do të ishte një sukses i madh politik. Megjithatë, me qeverinë e tij të pakicës së majtë, ai varet nga votat e Junts në parlamentin në Madrid.
Sipas medias spanjolle, ligjvënësit e Junts mund ta bëjnë shumë më të vështirë për të qeverisjen – nëse nuk e mbështesin më atë.
Një nga pikat e mosmarrëveshjes midis ERC dhe socialistëve është thirrja që Katalonja të mbledhë taksat e veta në të ardhmen, si Vendi Bask dhe Navarra, dhe t’i paguajë qeverisë qendrore një pjesë.
Deri më tani, qeveria qendrore ka mbledhur taksa dhe i ka kaluar një pjesë Katalonjës, në një strukturë të ngjashme me pothuajse të gjitha komunitetet autonome të vendit.
“Propozimi i miratuar përfshin një “koncept ekonomik të bazuar në solidaritet”, që do të thotë se qeveria rajonale do të mbledhë taksa të tjera dhe fonde të reja për të promovuar gjuhën katalanase”, sipas gazetës “La Vanguardia”. //a.i/























