TIRANË, 21 mars/ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një proncim për mediet pas përjashtimit nga seanca plenare e Kuvendit, deklaroi se, dakordësia e arritur mes Partisë Socialiste dhe grupit parlamentar demokrat në Kuvend, nuk sjell asnjë përfitim për qytetarët shqiptarë, por vetëm për ata deputetë, të cilët nuk mbrojnë interesin e qytetarit, por presin “kockën” e radhës.
Sipas Bashës, pikënisja e debatit për reformën zgjedhore duhet të jetë prishja e paktit të 2008-ës. Sipas tij, listat e hapura janë një domosdoshmëri.
“E di që për njerëzit që vuajnë katastrofën ekonomike të shkaktuar nga korrupsioni dhe keqqeverisja 11-vjeçare e Edi Ramës, shpeshherë bëhet e pakuptueshme të flasësh për reformën zgjedhore. Por në fakt aty nis dhe ai është shkaku i të gjithë të këqijave, sepse është deformimi i vullnetit të qytetarëve që sjell parlamente të deformuara, me deputetë kokulur, që në vend që të mbrojnë qytetarët, presin kockën e radhës, presin benefitet e radhës. Në vend që të kalojnë ligje për qytetarët, kalojnë ligje në dobi të pushtetarëve dhe të oligarkëve, ndaj dhe e keqja duhet të nisë të shpërbëhet dhe të kurohet aty ku e ka zanafillën”, tha Basha.
“Kjo është arsyeja se pse për 2 vite Partia Demokratike ka insistuar në një reformë zgjedhore për qytetarët, jo një reformë për interesa të ngushta partiake. Kjo është arsyeja se pse kemi propozuar prej fillimit një paketë integrale. Listat e hapura që tashmë janë një domosdoshmëri, sidomos pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Por, më shumë se kaq, është një domosdoshmëri për të prishur paktin e 2008-s që ia hoqi të drejtën qytetarëve të dërgojnë atë që duan, atë që kanë besim në Parlament dhe jo atë që u cakton kryetari i partisë”, tha Basha.
“Numërimi elektronik dhe votimi elektronik që i paraprin atij është provuar në 4 palë zgjedhje që shmang një sërë problemesh të cilat janë pjesë e lojës kryesisht të pushtetit për të manipuluar votimin, nxjerrjen e pavlefshme të votave apo numërimin. Shqipëria një zonë zgjedhore do të thotë që votat nga Vlora në Kukës të jenë njësoj të barabarta dhe jo diku të nxjerrim më shumë deputetë dhe diku më pak deputetë”, vijoi Basha.
“Dhe pa diskutim vota e diasporës. Fakti është që i gjithë ky pazar këtë ka synuar. Çfarë fitoi shqiptari i thjesht? Çfarë fitoi publiku shqiptar pas pothuajse 6 muajsh të ashtuquajtur revolucion në sallën e parlamentit? Shohim që jo vetëm që s’ka fituar por ka asgjësuar palcërisht interesin e publikut shqiptarë”, tha Basha.
Kreu i PD tha se ngritja e komisioneve hetimore me ligjin e ri të miratuar nga mazhoranca i bën ato pa vlerë.
Kreu i PD shtoi se “sot ishte fundi i një përpjekjeje transparente para shqiptarëve, për t’i dhënë shqiptarëve atë meritojnë ata dhe jo atë që duan protagonistët e këtij pazari. Viktimë e këtij pazari janë shqiptarët të cilët përballen me këtë skenar”.
“Dhe po jua them skenarin. Në 2008-ën u shkatërrua komisioni bipartizan dhe u bë një negociatë e nëndheshme që i çoi në ndryshimet kushtetuese të 2008-ës. Dhe tani duken shenjat nga të njëjtët protagonistë. Një nga propozimet e Damian Gjiknurit, një protagonist i 2008-ës, janë ndryshimet në Ligjin e Dekriminalizimit. Ligji i Dekriminalizimit është një nga arritjet e pakta të parlamentit shqiptar, sigurisht krenar që është propozimi i imi dhe i Partisë Demokratike që pamundëson që personat me rekorde të tmerrshme kriminale të përfaqësojnë qytetarët e Shqipërisë. Dhe kur bëhet fjalë për rekorde të tmerrshme kriminale, nuk bëhet fjalë për gjobitje për shkelje dritash trafiku. Bëhet fjalë për korrupsion dhe për krim të organizuar”, tha Basha.
“Ndaj, merkato sapo ka filluar. Do të bëhet larg syve të shqiptarëve, do të bëhet në një format që i shërben interesave private të një grushti njerëzish. Pra i jepet fund një mekanizmi transparent, një mekanizëm në të cilin kishin vendin e garantuar të gjithë ata që nuk erdhën dhe që e drejtojnë gishtin ndaj atyre që ishin aty për të bërë detyrën si bashkëkryetari Alibeaj. Që nuk iu thotë goja një fjalë për produktin më të mirë që partitë politike në 34 vite pluralizëm kanë sjellë ndonjëherë në një komision bipartizan të reformës zgjedhore, siç është paketa e parë dhe paketa e dytë e Partisë Demokratike. Por interesi i tyre nuk ishte për fajësimin e këtyre shqetësimeve dhe zgjidhjeve për shqiptarët. Ta themi fare qartë, ata duan t’i mbajnë listat e mbyllura”, tha Basha.
“Ne do t’u drejtohemi shqiptarëve me të gjitha format dhe mënyrat, në aleancë me të gjithë faktorët politikë dhe shoqëror të cilët ndajnë të njëjtën agjendë si ne. Shumica dërmuese e shqiptarëve kërkojnë ndryshim dhe ne si Parti Demokratike, as nuk sugjestionohemi, as nuk impresionohemi, as nuk na bën përshtypje diçka që e kemi parë prej kohësh, që nisi si pazar dhe bitisi si pazar. Ne do të qëndrojmë fortë për interesin publik me besim të madh”, theksoi Basha.
Basha tha se harku opozitar do të zgjerohet dhe se “detyra jonë është t’u japim shqiptarëve një sistem të vërtetë zgjedhor”, përfundoi Basha.
/r.e/























