Ballina Flash

Mirëmenaxhimi i të kthyerve nga zonat e konfliktit, Qose takon zyrtarë të BE-së

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Drejtori i Shërbimit të Provës Klevis Qose, zhvilloi të martën një takim me zyrtarë të Këshillit të Evropës, Ioan Durnescu, konsulent dhe Sara Rekar, zyrtare e lartë e projektit, ku u diskutua mbi format e aplikimit të shërbimit të provës te personat e kthyer nga zonat e konfliktit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Qose ndan foto dhe detaje nga takimi.

“Diskutuam mbi forcimin e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor për menaxhimin e rasteve të ekstremizmit të dhunshëm në Shërbimin e Provës, për të kthyerit nga zonat e konfliktit, që klasifikohen për dënime alternative, dënime plotësuese apo masa shtrënguese”, tha Qose.

“Bashkëpunimi rajonal është thelbësor dhe imperativ, veçanërisht duke pasur parasysh se kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm nuk njohin kufij dhe shpesh janë transnacionale”, vijon Qose.

Sipas tij, “përmes trajnimeve të vazhdueshme, pjesëmarrjes në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, monitorimit të trendeve të reja në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm, shkëmbimit të përvojave për përdorimin e masave dhe instrumenteve efektivë, synohet zhvillim i vazhdueshëm profesional i specialistëve të Shërbimit të Provës me qëllim mirëmenaxhimin e rasteve të të kthyerve nga zonat e konfliktit”, përfundon Qose.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOREJA E JUGUT – Shëndetësia në krizë, mijëra mjekë japin dorëheqjen
Artikulli tjetërMeta për protestën: Qytetarët rikthyen shpresën