TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, shoqëruar nga të gjithë deputetët e qarkut Shkodër dhe Sekretari i Përgjithshëm i “Rithemelimit” Flamur Noka, kanë zhvilluar takime me bizneset në bashkinë Shkodër. Ky është takimi i parë në terren që nga e hëna, ku u arrit bashkimi i dy grupimeve në PD.
Bardhi theksoi se ekononia është dështimi më i madh i Qeverisë së Edi Ramës dhe kryearsyeja për të ngritur zërin e protestuar në 20 shkurt.
“Shqipëria për shkak të politikave të gabuara të Edi Ramës renditet e para në Europë për numrin e madh të popullatës në pasiguri për ushqim, e krahasueshme vetëm me disa shtete të Afrikës”, shkruan Bardhi.
Ai tha se nga Shkodra ka nisur turin e takimeve për të ftuar qytetarët të reagojnë.
“Në takimet me qytetarë dhe bizneset e zonës, kuptuam nga afër padurimin e tyre për tu bashkuar në projektin për ndryshimin e gjendjes në vend dhe për një ekonomi që garanton mirëqënien për çdo qytetarë shqiptarë”, nënvizon Bardhi.























