TIRANË, 20 janar/ATSH/ Qarku i Shkodrës është përfshirë nga reshje të dendura dëbore duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve.
Si pasojë, aksi rrugor Bogë-Qafë Thore, është bllokuar dhe borëpastrueset po punojnë për hapjen e këtij aksit.
Ndërkohë Policia njofton se aksi rrugor Kir-Mali i Shoshit është i kalueshëm me zinxhirë; aksi rrugor Pukë – Fushë Arrëz i kalueshëm me zinxhirë; aksi rrugor Fushë Arrëz- Iballë është i bllokuar dhe në aksin Fushë Arrëz – Qafë Mali – Fierzë- lëvizja e mjeteve kryhet me zinxhirë.
Borëpastrueset janë në terren për pastrimin e të gjitha akseve rrugore.
Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen të gjitha në terren dhe apelojnë për drejtuesit e mjeteve që të mos qarkullojnë pa goma dimërore, pa mjete antirrëshqitje, të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit pasi ka prezencë akulli dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë.
/m.m/












