TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Flokët e dëborës kanë mbuluar Llogoranë, e ndodhur 40 km në juglindje të Vlorës, duke ofruar një peizazh mahnitës, ku kombinohen mjaft bukur bregu i detit dhe malet e mbuluar nga dëbora.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Qafa e Qorres në Llogora, e cila fton të pasionuarit pas ngjitjeve në mal ta vizitojnë atë.
“Mal, det, dëborë e pisha, të gjitha në të njëjtin vend, në Majën e Qorres në Llogora”, shkruan Kumbaro.
Sezoni i turizmit dimëror, ose turizmi i bardhë ka mbërritur edhe në këtë park kombëtar, i njohur për freskinë e tij gjatë ditëve të nxehta të verës dhe për magjinë e dëborës në dimër.
Qafa e Llogorasë ka rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor.
Ajo ka potencial të madh për zhvillimin e ekoturizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet. Ky është një vend klimatik, sepse këtu përzihen të dyja klimat, malore dhe detare e freskët.
/k.s/r.e/














