TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria dhe Kroacia janë në pozicione 100 % të njëjta në raport me agresionin rus në Ukrainë, si dhe me domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve në rajon.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković gjatë vizitës në Zagreb, Rama u shpreh se, “së bashku me Kroacinë ne jemi anëtarë të komunitetit euroatlantik, anëtarë të NATO-s dhe jemi në pozicione 100 % të njëjta në raport me agresionin rus në Ukrainë, si dhe me domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve në rajon dhe të një rajoni të qëndrueshëm në çdo aspekt. Për këtë arsye kemi prekur dhe këto tema, siç e tha dhe kryeministri”.
Sa i përket samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë në mesin e tetorit, Rama tha se, “kryeministri Plenkoviç do të jetë i pranishëm, sepse Kroacia është një nga anëtarët e BE që e shoqëron këtë proces dhe që është një mbështetëse e palëkundur e këtij procesi, duke qenë njëkohësisht edhe një zë i rëndësishëm i gjithë rajonit tonë dhe i nevojës për t’u dëgjuar më shumë dhe më mirë në Bruksel, pasi natyrshëm, jo vetëm pozicioni, por edhe interesat strategjike të Kroacisë janë të lidhura me mbarëvajtjen e këtij rajoni”.
“Kështu që me kënaqësinë që Kryeministri ka konfirmuar praninë e tij në Tiranë dhe me bindjen që në këtë samit ne do të kemi disa të reja të rëndësishme për ecurinë e mëtejshëm të rajonit në rrugën e afrimit me BE-në, edhe një herë dua ta falënderoj Andrej për mikpritjen, për gatishmërinë për të na asistuar me dijen e këtij vendi dhe njëkohësisht edhe për miqësinë dhe partneritetin strategjik, që është një partneritet me shumë potencial dhe që ne e shohim si një nga partneritetet tona më të rëndësishme për të sotmen dhe për të ardhmen”, tha Rama.
/r.e/























